Operacioni në sektorin e derivateve: Nëntë të arrestuar, konfiskohen para, armë dhe vetura

Pamje nga aksioni i sotëm i Prokurorisë, Policisë dhe ATK-së

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), kanë arrestuar nëntë persona në kuadër të operacionit të sotëm kundër krimit të organizuar në sektorin e derivateve të naftës.

Sipas një komunikate të përbashkët, operacioni u zhvillua pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa kontrollet u kryen në 21 lokacione.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar:

  • 15 mijë euro para të gatshme;

  • 5 automjete;

  • 5 autobotë për transportin e derivateve të naftës;

  • 2 armë zjarri;

  • 54 fishekë;

  • pajisje elektronike;

  • dokumente dhe prova të tjera që lidhen me rastin;

  • 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Hetimet kanë rezultuar me arrestimin e nëntë të dyshuarve me inicialet F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M. dhe G.Q.

Ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë shpëlarjen e parave, kontrabandimin e mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar, përdorimin e dokumenteve të rreme lidhur me tatimet dhe shmangien nga tatimi.

Sipas Prokurorisë Speciale, hetimet kanë krijuar dyshimin e bazuar se të arrestuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke përdorur dokumente të rreme tatimore dhe duke realizuar shitje e transaksione fiktive të derivateve të naftës. /Buletini Ekonomik/