Punëtorët e Telekomit që dy muaj pa paga, kërkohen veprime nga institucionet

Telekomi i Kosovës po e përfundon muajin e dytë me llogari të bllokuara për shkak të vendimeve të gjykatave në rastin me Z Mobile.

Sindikata e Telekomit përmes një reagimi publik, thotë se kjo është “një situatë e papranueshme dhe e rëndë për punëtorët dhe vetë operimin e kësaj kompanie jetike për vendin”.

“Punëtorët e Telekomit vazhdojnë të jenë pa paga,çka ka shkaktuar vështirësi të mëdha për familjet e tyre. Ndërkohë, aktiviteti operativ i kompanisë është thellësisht i vështirësuar, duke rrezikuar shërbimet bazë. Është e papranueshme që, përkundër rëndësisë strategjike të Telekomit të Kosovës, institucionet përgjegjëse nuk po ndërmarrin asnjë veprim konkret për zgjidhjen e kësaj krize. Heshtja dhe mosveprimi janë tregues të qartë të një papërgjegjshmërie alarmante ndaj një prej ndërmarrjeve publike më të rëndësishme të vendit”, thuhet në reagim.

Reklama e sponzorizuar

Sindikata kërkon nga nga Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat që të veprojnë me urgjencë për të adresuar këtë situatë.

“Hetimi dhe trajtimi i kësaj çështjeje duhet të jetë prioritet absolut për të zbardhur çdo shkelje ligjore që mund të ketë çuar në këtë bllokim dhe për të garantuar drejtësi për punëtorët. Vendimet e gjykatave duhet të merren me efikasitet maksimal, duke pasur parasysh dëmin e madh që kjo situatë po shkakton. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të reagojnë menjëherë dhe të ndërmarrin masa konkrete për të zhbllokuar llogaritë e Telekomit. Kjo është e vetmja rrugë për të garantuar të drejtat e punëtorëve, për të rivendosur stabilitetin operativ dhe për të mbrojtur interesin publik”.