Kusari-Lila prezanton prioritetet industriale të Kosovës në St. Gallen Symposium 2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në edicionin e 55-të të St. Gallen Symposium 2026 në Zvicër, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbledh liderë nga politika, ekonomia dhe akademia për të diskutuar zhvillimet globale dhe sfidat ekonomike e shoqërore.

Tema kryesore e sivjetme, “Disrupted Age”, trajtoi transformimet globale në fushën e gjeopolitikës, teknologjisë dhe ndryshimeve demografike. Në këtë kuadër, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në forume ndërkombëtare, duke vlerësuar se këto platforma ndihmojnë në prezantimin e perspektivës së Kosovës dhe forcimin e rolit të saj në proceset globale dhe ekonomike.

Gjatë vizitës në Zvicër, ministrja zhvilloi edhe një takim bilateral me ministren e Financave të Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, me të cilën diskutoi për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Reklama e sponzorizuar

Në takim u theksua se ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Po ashtu, palët diskutuan për zhvillimin e infrastrukturës industriale në Kosovë, promovimin e investimeve dhe rëndësinë e partneritetit me shtetet mike për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.

Ministrja Kusari-Lila vlerësoi edhe rolin e diasporës kosovare në Zvicër, duke theksuar kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve. Ajo nënvizoi se zhvillimi industrial dhe forcimi i prodhimit vendor mbeten prioritete kyçe për ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në kuadër të St. Gallen Symposium, ministrja mori pjesë edhe në panelin me temën “Fuqia e politikës përballë politikës së fuqisë – Ruajtja e interesave strategjike në një botë të re”. Në këtë panel morën pjesë edhe ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Kelly Craft, ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Kęstutis Budrys, dhe ministrja e Informacionit, Komunikimit dhe Teknologjisë e Namibisë, Emma Theofelus.