Jakurti: Rritja ekonomike e Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht nga konsumi

Ekonomisti Edison Jakurti ka analizuar të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për rritjen ekonomike të vendit, duke theksuar se ekonomia vazhdon të mbështetet kryesisht në konsum.

Sipas tij, të dhënat e ASK-së tregojnë se rritja reale ekonomike e Kosovës në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 5.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithatë, ai thotë se pjesa më e madhe e kësaj rritjeje nuk është gjeneruar nga investimet.

Jakurti thekson se rreth 54 për qind e rritjes ekonomike është nxitur nga konsumi final, ndërsa rreth 35 për qind nga eksporti neto. Kurse, vetëm rreth 11 për qind e rritjes, sipas tij, mund t’i atribuohet investimeve.

Reklama e sponzorizuar

Ai vëren gjithashtu se edhe eksportet lidhen kryesisht me sektorin e shërbimeve. Sipas Jakurtit, kjo kategori në Kosovë dominohet nga shpenzimet e diasporës dhe të vizitorëve nga jashtë.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë ‘bum investiv’ si rezultat i rritjes së besueshmërisë së bizneseve. Është, si zakonisht në Kosovë, një rritje ekonomike e shtyrë kryesisht nga konsumi”, ka vlerësuar Jakurti. /Buletini Ekonomik/