Nga sot (01.07.2026), paga minimale në Kosovë do të rritet në 500 euro bruto.
Kjo është faza e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë, pas rritjes në 425 euro më 1 janar të këtij viti.
Institucionet përgjegjëse kanë paralajmëruar mbikëqyrje për zbatimin e vendimit, ndërsa kanë pranuar se sektori i pastrimit dhe ai i sigurisë fizike mbeten më problematikët për zbatimin e këtij vendimi të Qeverisë.
Në Sindikatën e punëtorëve të sektorit privat kanë thënë se janë skeptikë për zbatimin e këtij vendimi nga kompanitë që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucionet shtetërore.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur skeptik nëse paga minimale do të respektohet te kompanitë që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione shtetërore.
“Paga në sektorin privat, aty ku ka direkt pronarë të kompanive, nëse nuk ka dikë në mes, zbatohet. Por nuk po zbatohet as paga minimale që është 425 euro, vetëm tek ato kompani që kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione shtetërore dhe komunale. Kemi shumë kompani të cilat nuk e kanë zbatuar pagën minimale”, ka thënë Azemi.
Edhe në Inspektoratin Qendror të Punës kanë pranuar që sektorët me rrezik për të mos zbatuar këtë vendim janë: ai i pastrimit dhe sigurisë fizike, por nëse kjo gjë ndodh kanë paralajmëruar masa.
“Bizneset të cilat nuk e respektojnë vendimin e pagës minimale, sipas procedurës inspektuese, kur konstatohet kjo gjendje, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse. Sektorët që paraqesin rrezik më të lartë në zbatimin e vendimit janë sektori i pastrimit dhe ai i sigurisë fizike, ku edhe bazuar në risk janë realizuar inspektime”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Qendror të Punës.
Lexo më shumë:
Punëtorët e sektorit privat kërkojnë që paga minimale të jetë mbi 400 euro








