Prokuroria Speciale e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion të gjerë në kuadër të hetimeve për dyshime mbi veprimtari të paligjshme në sektorin e derivateve të naftës, duke bastisur mbi 40 lokacione në disa rajone të vendit.
Operacioni është rezultat i një hetimi disamujor që, sipas autoriteteve, lidhet me dyshime për veprimtari kriminale në tregtinë e derivateve të naftës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar për Zërin zhvillimin e aksionit, por nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin.
“Mund të konfirmojmë operacionin policor. Për më shumë detaje, do t’ju njoftojmë përmes një komunikate të përbashkët me Policinë”, ka deklaruar Luta.
Sipas raportimeve të mediave, hetimet përfshijnë dyshime për pastrim parash, shmangie të pagesës së tatimeve dhe detyrimeve doganore, si dhe kryerje të transaksioneve fiktive në sektorin e derivateve.
Po ashtu, sipas burimeve të publikuara nga Indeksonline, dyshohet për ekzistimin e një skeme kriminale, ku kompani importuese nga Shqipëria mund të kenë importuar ujë në vend të derivateve të naftës, duke përdorur kompani fiktive dhe subjekte aktive në Kosovë për realizimin e skemës së dyshuar.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës pritet të publikojnë detaje shtesë pas përfundimit të operacionit.
Më shumë:
Nga nafta te buka, Gërxhaliu: Krizat botërore përbën shqetësim të madh edhe në Kosovë









