BQK: Ekonomia e Kosovës u rrit me 3.6% në vitin 2025, inflacioni pritet të arrijë 6.7% më 2026

BQK - Buletini Ekonomik

Ekonomia e Kosovës shënoi rritje reale prej 3.6 për qind gjatë vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet, thuhet në Raportin Vjetor 2025 të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).

Sipas raportit, konsumi ishte kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike, me 3.9 pikë përqindje, ndërsa investimet kontribuuan me 2.9 pikë përqindje.

Në anën tjetër, importet e larta vazhduan të ushtrojnë presion mbi bilancin tregtar. Eksportet neto patën ndikim negativ për shkak të rritjes së ndjeshme të importeve, ndërsa eksporti i shërbimeve u mbështet kryesisht nga shpenzimet e diasporës.

BQK parashikon që gjatë vitit 2026 ekonomia e Kosovës të rritet me 3.5 për qind, e nxitur nga konsumi privat, rikuperimi i eksporteve të mallrave dhe ngadalësimi i ritmit të rritjes së importeve.

Megjithatë, banka qendrore vlerëson se pasiguritë mbeten të larta, veçanërisht për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, të cilat mund të ndikojnë në çmimet e energjisë, ushqimeve dhe në ritmin e rritjes ekonomike.

BQK: Inflacioni pritet të përshpejtohet

Raporti tregon se inflacioni mesatar në vitin 2025 arriti në 3.9 për qind, krahasuar me 1.6 për qind në vitin paraprak. Rritja u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe energjisë elektrike, ndërsa inflacioni bazë u ngadalësua në 1.9 për qind.

Ndërkohë, për vitin 2026, BQK pret që inflacioni të përshpejtohet në 6.7 për qind, duke paralajmëruar se zhvillimet gjeopolitike mund të krijojnë presione shtesë mbi çmimet.

Në raport theksohet edhe se sektori i ndërmarrjeve ka regjistruar rritje të qarkullimit prej 6.9 për qind, ndërsa është shtuar edhe numri i bizneseve të reja.

Ndërkohë, të hyrat buxhetore u rritën me 7.6 për qind, ndërsa shpenzimet publike u zgjeruan për 9.9 për qind. Borxhi publik mbeti në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm, duke arritur në 16.4 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Sa i përket sektorit të jashtëm, BQK thekson se deficiti i llogarisë rrjedhëse është thelluar si pasojë e rritjes së importeve të mallrave, megjithëse remitencat, eksporti i shërbimeve dhe investimet e huaja direkte kanë vazhduar trendin pozitiv. /Buletini Ekonomik/

Më shumë:

Me “aminin” e BQK-së, kompanitë e sigurimit zbatojnë kundërligjshëm sistemin bonus-malus