Diaspora dërgoi 1.4 miliardë euro në Kosovë gjatë vitit 2025

Remitencat vazhdojnë të jenë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes së ekonomisë së Kosovës, me të hyrat nga diaspora që kanë arritur në rreth 1.4 miliardë euro gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.3 për qind.

Sipas të dhënave të fundit nga Raporti Vjetor i BQK-së, dërgesat e emigrantëve kanë vazhduar të luajnë rol të rëndësishëm në mbështetjen e konsumit familjar dhe ekonomisë vendore, duke përbërë një ndër burimet më të mëdha të hyrave nga jashtë.

Gjermania dhe Zvicra vazhdojnë të dominojnë si vendet kryesore nga vijnë remitencat, duke përbërë së bashku 56.4 për qind të totalit të dërgesave.

Pas tyre renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, të cilat gjithashtu kontribuojnë në fluksin e mjeteve financiare drejt Kosovës.

Rritja e remitencave është vërejtur si në kanalet formale, ashtu edhe në ato joformale të transferimit të parave.

Dërgesat përmes bankave dhe agjencive të licencuara për transferim të parave u rritën me 3.3 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Ndërkohë, remitencat përmes kanaleve joformale shënuan rritje më të lartë, prej 7 për qind, që sipas BQK-së, lidhet kryesisht me shtimin e vizitave të diasporës dhe ardhjen më të shpeshtë të bashkatdhetarëve në Kosovë. /Buletini Ekonomik/