Çmimet e ushqimeve diktojnë inflacionin e lartë në Kosovë

Fotografi ilustruese

Rritje e çmimeve, sipas të dhënave të ASK-së, në periudhën janar-qershor 2026, është shënuar edhe te ushqimet me 3,9 për qind, por kjo përqindje del të jetë në disproporcion të madh me të dhëna të bëra publike nga ekspertë dhe njohës të zhvillimeve të ecurive të çmimeve në Kosovë. Sipas tyre, presionin e theksuar mbi inflacionin në këtë periudhë e kanë bërë çmimet e ushqimeve, të cilat, krahasuar me vitet e mëhershme, janë shumëfishuar disa herë.

Buletini Ekonomik

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ishte mesatarisht 6,0 për qind më i lartë në qershor 2026 sesa në qershor 2025, që do të thotë se inflacioni në Kosovë ka arritur në 6 për qind gjatë muajit qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në rritjen vjetore të inflacionit, sipas ASK-së, ndikimin më të madh e kanë pasur çmimet e transportit, të cilat janë rritur për 13,7 për qind. Pas tyre renditen strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,1 për qind, pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,1 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 4,5 për qind, si dhe shëndetësia me 4,1 për qind.

Rritje e çmimeve, sipas të dhënave të ASK-së, është shënuar edhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3,9 për qind, por kjo përqindje del të jetë në disproporcion të madh me të dhëna të bëra publike nga ekspertë dhe njohës të zhvillimeve të ecurive të çmimeve në Kosovë. Sepse, sipas tyre, presionin kryesor mbi inflacionin në këtë periudhë e kanë bërë çmimet e ushqimeve, të cilat, krahasuar me vitet e mëhershme, janë shumëfishuar disa herë. Dhe kjo, për dallim të të dhënave të ASK-së për ngritje çmimi të produkteve ushqimore, tregon se presioni mbi çmimet vijon të ndihet fort te produktet bazë që zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve të përditshme të familjeve.

Brenda grupit të ushqimeve, në Kosovë, krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me vite të mëhershme, në gjashtëmujor janë regjistruar rritje te mishi dhe produktet e tij. Praktikisht, në periudhën janar-qershor, të cilën e ka objekt trajtimi të ecurive të çmimeve ASK-ja, janë ngritur ndjeshëm çmimet e kafshëve të gjalla, të të gjitha llojeve të mishit (edhe të mishit të freskët, edhe të atij të ngrirë). Por, në këtë periudhë edhe produktet e tjera ushqimore u shtrenjtuan, por me ritme më pak të ndjeshme.

Janari nisi presionin mbi disa nga kategoritë kryesore ushqimore. Vetëm përgjatë këtij muaji, çmimet e perimeve u rritën me 4.2%, ndërsa ato të mishit pësuan rritje prej 0.7%.

Në krahasimin vjetor, frutat kushtonin 15.5% më shtrenjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, mishi shënoi rritje prej 13.1%, kafeja, çaji dhe kakaoja u shtrenjtuan me 10.3%, ndërsa produktet e qumështit, djathit dhe vezëve me 8.7%. Por edhe në muajt në vijim pati luhatje çmimesh të produkteve ushqimore, kryesisht ngritje të tyre, herë më shumë, herë më pak. Edhe më konkretisht, në janar çmimet e mishit, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, pra të 2025-tës, u ngritën 13,1 për qind, në shkurt 14,7 për qind, në mars 12,4 për qind, në prill 11,3 për qind, në maj 11,2 për qind dhe në qershor 10,3 për qind.

Edhe të dhëna të tjera, të bëra publike nga analistë dhe njohës të rrethanave, flasin për presionin direkt dhe indirekt të ngritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në nivelin e inflacionit në vend. Sipas të dhënave të bëra publike nga vrojtues të vëmendshëm, në vitin 2020 çmimi i një buke ishte 30 centë, ndërsa sivjet një bukë, ajo më popullorja, që peshon diku ndërmjet 400 dhe 500 gramë, kushton 60 centë. Çmimi i një kilogrami të mishit më 2020 ishte 6 euro, ndërsa në këtë vit ky çmim ka shkuar në 17 euro.

Prandaj, kur shihen dhe kihen parasysh këto përqindje të ngritjes së çmimeve të mishit dhe të disa produkteve të tjera ushqimore, bëhet i diskutueshëm ndikimi i rritjes së çmimeve te ushqimet në inflacionin e gjashtëmujorit në shkallë vendi, i paraqitur nga ASK-ja. Dhe këto të dhëna i bëjnë jo shumë bindëse të dhënat e ASK-së për ndikimin e produkteve ushqimore në shkallën e inflacionit në vend. /Buletini Ekonomik/