Balkan Green Foundation: Kosova mbetet e fundit në rajon për kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme

Foto: Ballkan Green Foundation

Kosova po mbetet dukshëm prapa objektivave që i ka vendosur vetes për transformimin e sektorit energjetik, ndërsa tranzicioni drejt energjisë së pastër po ecën me ritëm shumë më të ngadalshëm sesa ishte planifikuar.

Ndonëse Strategjia e Energjisë 2022–2031 parasheh rritje të konsiderueshme të kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme, ulje të varësisë nga qymyri dhe përafrim me politikat klimatike të Bashkimit Evropian, rezultatet e arritura deri në fund të vitit 2025 tregojnë se shumica e objektivave kryesore nuk janë përmbushur.

Këto janë disa prej gjetjeve kryesore të raportit vlerësues “Progresi në zbatimin e Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës deri në vitin 2025”, të publikuar nga Balkan Green Foundation ditë më parë.

Raporti analizon nivelin e përmbushjes së objektivave afatshkurtra të Strategjisë së Energjisë 2022–2031 dhe konstaton se, megjithëse ka përmirësime në besueshmërinë e furnizimit me energji dhe në uljen e humbjeve në rrjet, progresi në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme, dekarbonizimin e sektorit dhe përgatitjen për mekanizmat evropianë të karbonit mbetet i kufizuar dhe nën pritjet e dokumentit strategjik.

Sipas raportit, kjo situatë rrezikon jo vetëm përmbushjen e objektivave kombëtare deri në vitin 2031, por edhe përgatitjen e Kosovës për politikat klimatike të Bashkimit Evropian dhe rrit varësinë e vendit nga termocentralet me qymyr.

Vetëm 8 për qind energji nga burimet e ripërtëritshme

Një nga treguesit më shqetësues që përmendet në raport lidhet me prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Strategjia kishte paraparë që deri në vitin 2024 energjia nga burimet e ripërtëritshme të përbënte të paktën 13 për qind të konsumit të energjisë elektrike.

Megjithatë, deri në fund të vitit 2025 kjo pjesëmarrje ka arritur në vetëm 8 për qind.

Kjo do të thotë se Kosova ka mbetur pesë pikë përqindjeje nën objektivin e saj, ndërsa është shumë larg mesatares së Bashkimit Evropian sipas Ballkan Green Foundation, ku rreth 47.2 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga burimet e ripërtëritshme.

Raporti vlerëson se me ritmin aktual do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të realizohet objektivi që deri në vitin 2031 burimet e ripërtëritshme të përbëjnë 35 për qind të konsumit të energjisë elektrike.

Për më tepër, Ballkan Green Foundation nuk e lidh problemin e Kosovës me mungesën e potencialit natyror. Përkundrazi, raporti evidenton se në Kosovë ekzistojnë projekte me mbi 700 megavat kapacitet të planifikuar nga energjia diellore dhe ajo e erës.

Megjithatë, shumica e tyre vazhdojnë të mbesin të bllokuara në procedura administrative, licencime, çështje pronësore dhe pengesa burokratike, pa kaluar ende në fazën e ndërtimit.

Shembulli më ilustrues që paraqet BGF është ankandi i parë solar prej 100 megavatësh në Rahovec. Edhe pse ankandi u përfundua dhe u shpall fituesi, deri në mesin e vitit 2026 punimet ende nuk kishin filluar.

Raporti nga BGF thekson se procedurat administrative janë drejt përfundimit, por projekti vazhdon të vonohet, ndërsa një nga arsyet përmendet edhe mosmarrëveshja ndërmjet investitorëve.

Në të njëjtën kohë edhe ankandi tjetër për parkun me erë prej 100 megavatësh vazhdon të jetë ende në fazë administrative.

Vetëm 51 megavat të rinj në katër vjet

Një tjetër tregues që dëshmon ritmin e ngadalshëm të tranzicionit energjetik është edhe rritja reale e kapaciteteve të instaluara.

Nga viti 2021 deri në vitin 2025, sipas Ballkan Green Foundation, Kosova ka shtuar vetëm 51 megavat kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme, duke kaluar nga 279 në 330 megavat. Ndërkohë që strategjia kishte synuar që deri në vitin 2025 vendi të arrinte rreth 490 megavat kapacitete të instaluara.

Në këtë mënyrë, Kosova ka mbetur rreth 160 megavat nën objektivin e saj afatshkurtër.

Me këto të dhëna, Kosova vazhdon të ketë kapacitetin më të ulët të instaluar të energjisë së ripërtëritshme në rajon.

MË SHUMË:

Pse Kosova duhet të rishikojë parashikimet zhvillimore të Strategjisë Energjetike 2022–2031?

Ndërkohë që Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë shtuar në mënyrë të vazhdueshme kapacitete të reja përmes ankandeve dhe investimeve private, Kosova ka mbetur në fund të listës.

Raporti nga Ballkan Green Foundation veçon sidomos Shqipërinë dhe Serbinë si shembuj ku ankandet për energjinë diellore dhe atë të erës kanë tërhequr investime të mëdha dhe kanë krijuar portofol shumë më të avancuar projektesh sesa Kosova.

Një zhvillim pozitiv që përmendet në raport është vetëm rritja e numrit të prosumatorëve – qytetarëve dhe bizneseve që prodhojnë vetë energjinë e tyre përmes paneleve diellore.

Kapaciteti i tyre ka arritur mbi 34 megavat, duke tejkaluar objektivin e Strategjisë për vitin 2025. Sipas raportit, kjo është arritur falë subvencioneve, procedurave më të lehta dhe interesimit në rritje të bizneseve për të ulur kostot e energjisë.

Termocentralet vazhdojnë të mbeten problem

Një tjetër shqetësim i stabilitetit energjetik në Kosovë lidhet me rehabilitimin e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

Sipas dokumentit të strategjisë, është parashikuar rinovimi i dy njësive të TC Kosova B, përkatësisht njësitë B1 dhe B2, me synim që deri në fund të vitit 2025 ose më së largu deri në 2026, që këto dy njësi të operojnë në mënyrë efikase. Po ashtu, është parashikuar që një njësi e TC Kosova A të rinovohet deri në fund të vitit 2024. Por, siç konstaton edhe BGF, deri tash, projekti për rehabilitimin/rinovimin e këtyre njësive ende nuk ka filluar.

Në kuadër të ndërhyrjeve të vazhdueshme të rinovimeve, gjatë vitit 2025 është bërë remonti i njësisë B1. Ndërsa, në vitin 2024 është zëvendësuar transformatori i ndërtuar në vitet 1970-ta në TC Kosova A, me qëllim sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike. Megjithatë, sipas BGF, këto ndërhyrje nuk janë pjesë e projektit të plotë të rehabilitimit të këtyre njësive, siç parashikohet në Strategjinë e Energjisë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, për njësinë A3 pritet që gjatë vitit 2026 të nënshkruhet kontrata me konsorciumin për implementimin e projektit të rehabilitimit dhe modernizimit. Ndërkohë, për njësinë B1 parashihet realizimi i projektit të elektrofiltrit DeNOx dhe modernizimi i turbinës në periudhën prill– dhjetor 2026, ndërsa njësia B2 pritet të rinovohet në periudhën prill–nëntor 2027.

Siç përshkruhet në raport, vonesat në zbatimin e projektit janë shkaktuar nga falimentimi i njërit prej anëtarëve të konsorciumit përgjegjës për implementim, si dhe nga kërkesat për shpenzime shtesë të paraqitura nga operatori ekonomik.

E mosrealizimi i këtyre investimeve, sipas BGF, rrezikon besueshmërinë e sistemit energjetik, pasi njësitë gjeneruese do të vazhdojnë të operojnë me pajisje të amortizuara, duke rritur gjasat për defekte dhe ndërprerje të paplanifikuara, si dhe duke ulur disponueshmërinë e kapaciteteve.

Kosova pa taksë karboni

Raporti në fjalë ngre shqetësime edhe për mungesën e përgatitjes ndaj Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM).

Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit për Karbonin (ang. CBAM) është një politikë e BEsë që vendos një kosto karboni për disa mallra të importuara bazuar në emetimet e tyre gjatë prodhimit, duke siguruar kështu që importet të përballen me çmime karboni të ngjashme me ato të mallrave të prodhuara në BE dhe duke ndihmuar në parandalimin e rrjedhjes së karbonit.

Sektorët fillestarë të mbuluar nga CBAM përfshijnë mallrat me intensitet të lartë karboni që janë më të ndjeshëm ndaj rrjedhjes së karbonit, duke përfshirë: energjinë elektrike, hekurin dhe çelikun, aluminin, cementin, plehrat azotike dhe hidrogjenin. Ky mekanizëm është pjesë e ligjit të ri të energjisë së BE-së, me qëllim kryesor reduktimin e emetimeve të karbonit me të paktën 55% krahasuar me vitin 1990.

Taksa e karbonit nuk përjashton asnjë vend, përveç nëse shteti është pjesë e Sistemit Evropian për Tregtimin e Emetimeve (EU ETS91), apo ka një rregullore të brendshme që përcakton çmimin e karbonit për sektorët e lartpërmendur, të cilat më pas zbriten nga tarifa e BE-së. Çmimi i karbonit mund të ndryshojë çdo ditë dhe, sipas të dhënave më të fundit, një ton karbon kushton rreth 66 euro për ton.

Edhe Strategjia e Energjisë së Kosovës e konsideron CBAM si një objektiv me rëndësi të lartë dhe sugjeron vendosjen e një skeme kombëtare të tregtimit të karbonit, me rritje graduale të çmimit minimal, që të përputhet me çmimet e EU ETS deri në vitin 2030.

Për këtë çështje, në Strategji janë paraqitur disa skenarë modelimi për çmimin e karbonit: i pari parashikon rritje graduale deri në 14% në vitin 2025 dhe më pas rritje lineare deri në 2031, pa CBAM; i dyti fillon me 15% në 2025 dhe rritet gradualisht deri në 2030; ndërsa i treti, më ambicioz, nis me 15% në 2025, arrin 35% në 2030 dhe 100% në 2035, me variante me dhe pa CBAM.

Sidoqoftë, përkundër objektivave të parashikuara, deri më tani, sipas Ministrisë së Ekonomisë që i referohet BGF, nuk ka pasur ndonjë zhvillim për zbatimin gradual të çmimit të karbonit në vend.

Duke pasur parasysh të gjitha këto vonesa dhe problematika, Balkan Green Foundation rekomandon që institucionet të përshpejtojnë licencimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme, të reduktojnë burokracinë për investitorët, të krijojnë kushte më të favorshme financiare për investime të reja dhe të vendosin gradualisht çmimin e karbonit.

Raporti vlerëson se pa këto reforma, objektivat e Strategjisë së Energjisë 2022-2031 do të mbeten të paarritshme, ndërsa Kosova rrezikon të humbasë ritmin e tranzicionit energjetik që tashmë po zhvillohet në vendet e tjera të rajonit.

Ndryshe, Strategjia e Energjisë 2022-2031 është ndërtuar mbi pesë objektiva kryesore.

  • Objektivi i parë synon të rrisë besueshmërinë e sistemit dhe sigurinë e furnizimit me energji, duke e bërë sistemin më të qëndrueshëm dhe më fleksibil. Kjo arrihet përmes rritjes së fleksibilitetit, modernizimit të rrjetit dhe uljes së humbjeve, përmirësimit të kapaciteteve gjeneruese dhe forcimit të sigurisë kibernetike. Këtu parashihet rinovimi i njësive kryesore prodhuese, në këtë rast rinovimi i njësive të TC Kosova B dhe të paktën një njësie të TC Kosova A.

  • Objektivi i dytë synon dekarbonizimin e sektorit të energjisë duke ulur emetimet e CO2 dhe duke rritur rolin e BRE-ve, në mënyrë që energjia të bëhet më e pastër dhe më e qëndrueshme në afat të gjatë. Kjo arrihet përmes vendosjes graduale të taksës së karbonit, rritjes së energjisë së ripërtëritshme në prodhimin e energjisë elektrike dhe nxitjes së përdorimit të saj edhe për ngrohje.

  • Objektivi i tretë synon rritjen e efiçiencës së energjisë dhe uljen e intensitetit energjetik, në mënyrë që të zvogëlohen nevojat për furnizim, emetimet dhe ndotja, si edhe varësia nga importi dhe kostoja për qytetarët dhe bizneset. Ky objektiv fokusohet në përmirësimin e efiçiencës në ndërtesa dhe në promovimin e kogjenerimit dhe ngrohjes qendrore efiçiente. Synohet kufizimi i konsumit final të energjisë dhe arritja e kursimeve, përfshirë certifikimin e ndërtesave me konsum afër zeros.

  • Objektivi i katërt synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të përmirësojë funksionimin e tregut të energjisë, duke krijuar një treg të integruar dhe më konkurrues në përputhje me obligimet e Komunitetit të Energjisë. Kjo ndihmon sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë, veçanërisht përmes integrimit me Shqipërinë dhe funksionimit të plotë të ALPEX-it. Objektivi përfshin edhe heqjen e barrierave të tregut dhe investime në aftësim profesional në fusha të energjisë, me fokus të veçantë te përfshirja e grave në këtë sektor.

  • Objektivi i pestë synon të mbrojë dhe fuqizojë konsumatorët, duke vendosur qytetarët në qendër të reformave të sektorit të energjisë, sidomos ata në nevojë, që të përballojnë kostot e energjisë dhe të kenë qasje në zgjidhje më efiçiente për energji dhe ngrohje. Ky objektiv parasheh përmirësime të skemave mbështetëse, programe për efiçiencë dhe vetë-konsum, fushata informuese dhe masa tjera të ngjashme.

Të gjitha objektivat e Strategjisë së Energjisë janë paraparë të mbulojnë një periudhë gati dhjetëvjeçare (2022–2031) dhe për secilin objektiv përcaktohen caqe deri në vitin 2031. /Buletini Ekonomik/

MË SHUMË:

Më shumë strategji sesa energji e prodhuar

Reklama e sponzorizuar