Paga minimale ka mbetur në sirtarët e Kuvendit. Pas kalimit në lexim të parë në qershor të vitit të kaluar, i njëjti nuk është proceduar ende.
Nga partia në pushtet kanë thënë se ky projektligj në lexim të dytë do të procedohet shumë shpejt, ndërsa opozita kërkon që i njëjti të procedohet sa më shpejt. Ata kërkojnë që në të të përfshihen edhe veteranët, raporton Ekonomia Online.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk do ta votoj këtë projektligj nëse aty nuk janë të përfshire veteranët. E nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë së për votimin e këtij projektligji do të vendosin kur të procedohet në Kuvend.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, arsyetoi vonesat me kërkesat që janë bërë nga palët e interesit. Muja është shprehur i bindur se Ligji do të kalojë këtë vit.
“Ne e kemi miratuar në parim, tash është në Kuvend, mirëpo ka pasur një kërkesë nga palët e interesit një lloj dakordimi që të vazhdon dialogu me qëllimin e mirë që të gjendet një dakordësi sa i përket detyrimeve që dalin nga njëra palë por edhe tekë pala tjetër dhe ne kemi qenë në pritje të këtij dialogu dhe ende kemi shpresë që kjo të konkludohet pozitivisht për dy palët. Gjithsesi unë duhet të ju potencoj që ligji për pagën minimale në lexim të dytë do të procedohet së shpejti edhe brenda këtij viti. Sepse është i domosdoshëm për 100 e 5 mijë qytetarë të Kosovës. Ne duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë tekë ky prioritet”, tha ai.
Muja iu përgjigj edhe kritikave të opozitës se nuk do ta votojnë Ligjin nëse nuk janë të përfshirë veteranët. Sipas Mujës, këta të fundit janë larguar nga Paga Minimale në vitin 2016.
“Opozita më 28 dhjetor të vitit 2016 me propozim të Kryeministrit Isa Mustafa, me miratimin e LDK-së dhe PDK-së dhe dakordimin e gjithë anëtareve të tjerë që kanë qenë në koalicion është hequr pagesa e veteranëve nga paga minimale dhe kjo ka qenë operimi në atë kohë. Kur erdh në lexim të parë për ne ishte pak befasi sepse marr parasysh që kritika vinte pikërisht nga ata që e kanë bërë shkoqitjen e pagës minimale. Por gjithsesi ne jemi të interesuar dhe kemi konsideratë për secilin qytetarë, mundësit e Kosovës janë pak të kufizuara, mirëpo ne do të shohim që të bëjëm më të mirën që të tejkalohet edhe ky ngërç”, tha ai.
Por deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, tha se arsyetimet e mazhorancës se veteranët janë larguar në vitin 2016 janë të pavërteta.
Ai kërkon që të njëjtit të futën në Projektligj, marrë parasysh rritjen e çmimeve dhe inflacionit.
“Është i pa qëndrueshëm deklarimi i mazhorancës që janë larguar në vitin 2016 veteranët, ne e kemi kundërshtuar që t’i bëjmë këtë diskriminim atyre që më së shumti kanë dhënë për lirin e Kosovës. Paga minimale konsideroj që është një shaka e Qeverisë duke pasur parasysh që do të ketë rritje të çmimeve edhe paga minimale duhet që të përcjellët me trendin e rritjes së çmimeve dhe me rritjen e inflacionit duhet që të jetë një pagë më dinjitoze, një pagë që i mbulon shpenzimet minimale”, tha ai.
Deputeti i PDK-së ka kushtëzuar se nuk do ta votojnë Projektligjin nëse në të nuk janë të përfshirë veteranët.
“Sa i përket veteranëve nuk ka shpjegim as logjikë, as juridik po as kuptim moral që veteranët të diskutohen a me qenë a mos me qenë në pagën minimale. Qeveria nuk pi përmbahet agjendës legjislative, ne do ti japim propozimet tona, jo me pranua por nuk do të lejojmë që të diskutohet pa veteranët një gjë e tillë”, tha ai.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, tha se Qeveria nuk duhet shfajësohet me Qeveritë e kaluara, thotë se Projektligji është vonuar qëllimshëm.
Ajo shtoi se paga minimale në këtë projektligj nuk mjafton marr parasysh gjendjen ekonomike në të cilën gjenden qytetarët.
“Partia në pushtet duhet që të merret me këto projektligje, nuk duhet që të ja lej fajin deri më tash krejt qeverive paraprake që kanë qenë, sepse po bëhen gati dy vite dhe nuk kemi pasur as gjë nga kjo qeveri, me qëllim po e vonojnë. Ne si LDK ende nuk kemi vendosur a do ta votojmë apo jo kur të vjen në Kuvend. Sa i përket pagës minimale tash më këtë koeficient me 150 euro ka punëtore që nuk paguhen sa paga minimale”.
“Nuk do të jetë e mjaftueshme sepse po e shohim çdo ditë gjendjen ekonomike, qeveria nuk duhet që ti lejoj fajin më partive paraprake lidhje më çështjet që i ka në duar, i ka 51 përqind dhe mund ti votoj të gjitha”, tha ajo.