Çka është “Financial Literacy” – (Edukimi Financiar)?
Sondazhi Global i Shkathtësive Financiare S&P e përkufizon edukimin financiar si aftësinë për të kuptuar konceptet thelbësore financiare në marrjen e vendimeve të duhura në lidhje me kursimin, investimin dhe huazimin.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) “edukimi financiar ka për qëllim ngritjen e nivelit të njohurive financiare në mënyrë që t’iu shërbejë qytetarëve për marrjen e vendimeve të duhura lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, kursimet dhe investimet.”
Në praktikë, edukimi financiar, sipas një manuali të BQK-së, do të thotë se personi ka njohuri themelore dhe mund të kuptojë termet financiare bazë, karakteristikat e shërbimeve dhe produkteve financiare si dhe të ketë qëndrim dhe sjellje pozitive në menaxhimin e financave personale, kursimeve, investimeve, etj.
“Në kontekstin e menaxhimit financiar personal dhe të përgjegjshëm, edukimi financiar bazik është vendimtar. Të ardhurat, shpenzimet, mbajtja e shënimeve të shpenzimeve, marrëveshjet, shpejtësia, çmimi, normat e interesit dhe siguria janë faktorë thelbësorë që duhet të merren parasysh kur përdorni produkte dhe shërbime financiare dhe kur menaxhoni me përgjegjësi financat personale. Ju mund të merrni vendime të mirë-informuara vetëm nëse jeni në gjendje të kuptoni veçoritë e produkteve dhe shërbimeve financiare”.
Por ku qëndrojnë kosovarët me edukim financiar?
Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria dhe Kosova janë të fundit në Evropë, sa i përket njohurive të qytetarëve për konceptet financiare.
Sipas sondazhit të Shkathtësive Financiare S&P, vetëm rreth 20 për qind e të rriturve në Kosovë kanë njohuri/shkathtësi financiare adekuate. Kjo është shumë ulët krahasuar me vendet e zhvilluara. Në shtete si Gjermania, Finlanda apo Suedia, këto njohuri i posedojnë mbi 70 për qind e të rriturve.
Shkalla kaq e ulët e njohurive adekuate financiare ka bërë që të ketë edhe përdorim shumë të ulët të shërbimeve dhe produkteve financiare online.
Kështu, Eurostat e rendit Shqipërinë dhe Kosovën si dy shtetet me përdorimin më të ulët të bankingut online në Evropë. Vetëm 5.2 për qind e qytetarëve në Shqipëri përdorin shërbimet bankare online, derisa në Kosovë vetëm 8.9 për qind e tyre.
Sipas Eursotat, preferencat kulturore dhe mungesa e besimit në shërbimet online, janë dy arsyet kryesore për këtë shkallë të ulët të përdorimit të shërbimeve financiare përmes internetit.
Këtë e konstaton edhe raport i Bankës Boterore “Findex” për vitin 2021, i cili thotë se “mungesa e njohurive financiare ka ndikuar që shumë qytetarë në Kosovë të mos i shfrytëzojnë mundësitë online për përdorimin e shërbimeve të ndryshme financiare”.
Sipas këtij raporti, vetëm 58% e qytetarëve në Kosovë kanë qasje në llogari bankare, duke shënuar rritje të madhe nga 44% sa ishte në vitin 2011. /Buletini Ekonomik/