Gjatë periudhës 2018-2023, KIESA ka organizuar pjesëmarrjen e bizneseve kosovare në rreth 50 panaire ndërkombëtare. Anekënd Evropës dhe përtej, u prezantuan kompanitë e njëjta ndërsa thirrjet publike u shpallën “shkel e shko” dhe u mbajtën larg “syrit të bizneseve”.
Mirjeta Shabani & Agon Sinanaj
“Hit Flores” është kompani nga Dragashi që merret me kultivimin e frutave të malit. Ndonëse me fuqi eksportuese modeste, kjo kompani është përzgjedhur nga zyrtarët e KIESA-s për pjesëmarrje në 16 panaire ndërkombëtare gjatë periudhës 2018-2023.
Madje, në vitin 2022, Hit Flores e përfaqësoi Kosovën edhe në një panair shumë të rëndësishëm që mbahet në Chicago të SHBA-së.
Në bazë të hulumtimit të arkivës së MINT, kompania “Hit Flores” ka përfaqësuar sektorin e frutave të malit gati në secilin panair, ani pse në këtë sektor ka shumë kompani tjera me fuqi eksportuese dhe që aplikuan në thirrjet e KIESA-s.
Buletini Ekonomik – në pjesën e tretë të hulumtimit mbi pjesëmarrjen e Kosovës në panaire ndërkombëtare, ka gjetur disa raste ku kompanitë e njëjta, u përzgjodhën mbi dhjetë herë gjatë kësaj periudhe, derisa kjo mundësi iu mohua kompanive tjera në të njëjtin sektor.
Janë së paku edhe katër kompani tjera që “u shëtiten” dhjetëra herë nëpër Evropë nën organizimin e KIESA-s.
Pas Hit Flores, sipas arkivës së MINT, me pjesëmarrjen më të madhe vjen kompania Egi Group, e cila mori pjesë në 15 panaire, Fungo FF në 12 sosh, Frutex në 13 dhe kompania Camel në 10 panaire.
Në anën tjetër, shumë kompani tjera prodhuese me fuqi të madhe eksportuese, u refuzuan. Buletini Ekonomik ka biseduar me shumë prej tyre, dhe të gjitha kanë ngritur dyshime mbi “motivet” e zyrtarëve të KIESA-s në përzgjedhjen e kompanive.
Kompanitë që u refuzuan morën përgjigje të përgjithësuara mbi arsyet e refuzimit, pa e precizuar numrin e pikëve dhe kriteret që ishin aplikuar mbi refuzimin në secilin rast.
Në përgjithësi, pjesëmarrja e Kosovës në panaire ndërkombëtare gjatë periudhës 2018-2023 ishte shumë dinamike, gjë që e bëri të vështirë respektimin e kërkesave ligjore dhe meritokracinë në përzgjedhjen e bizneseve.
Qëllimi i pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare është ekspozimi i bizneseve me fuqi eksportuese, por nga hulumtimi del se ky nuk ishte synimi kryesor në shumë panaire ku mori pjesë Kosova.
Kurba e pjesëmarrjes në panaire fillon ngritjen me kompaninë kroate
Nga viti 2015 deri në vitin 2018, Kosova pati pjesëmarrje modeste në panaire ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe, bizneset kosovare u prezantuan në gjithsej 13 panaire ndërkombëtare. Në të gjitha këto panaire, stendat e Kosovës ishin ndërtuar nga vetë panairet ku mori pjesë Kosova.
Por gjithçka ndryshoi në vitin 2018, në kohën kur agjencia shtetërore “KIESA” kishte angazhuar një kompani kroate për ndërtimin e stendave. Nga viti 2018 deri më 2023, pjesëmarrja e Kosovës në panaire ndërkombëtare pësoj një rritje rapide, duke shkuar në rreth 50 panaire gjithsej.
Prapa ndërtimit të stendave, në shumicën prej tyre, qëndron kompania kroate Mirt Interijer. Në pjesën e parë të hulumtimit, Buletini ka ofruar dëshmi së Mirt Interijer qëndron edhe prapa kompanisë Kan-Construct Fair, një kompani tjetër kroate që “ndërtoi” stendat e Kosovës në dhjetëra raste gjatë kësaj periudhe.
Aq dinamike është pjesëmarrja në panaire gjatë kësaj kohe, sa KIESA nuk e kishte parë problem pandeminë në ardhje, kur organizoi pjesëmarrjen në katër panaire ndërkombëtare, një muaj para se Kosova të mbyllej tërësisht.
Më 30 janar 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte shpallur “gjendje emergjente për shëndetin publik me shqetësim ndërkombëtar”.
Në muajin pasues, në shkurt, Kosova mori pjesë në dy panaire ndërkombëtare. Më 5 shkurt u prezantua në panairin “Fruit Logistica”, një panair i cili mbahet çdo vit në Berlin, i njohur për ekspozim të produkteve të freskëta si fruta dhe perime. Ndërsa më 12 shkurt, një muaj para se vendi të mbyllej tërësisht, KIESA organizoi pjesëmarrjen në panairin “Biofach”, i cili mbahet në Nuremberg të Gjermanisë, i njohur për ekspozim të produkteve organike.
Sipas dëshmive të publikuara në faqen e KIESA-s, një muaj më herët, në janar të vitit 2020, përkatësisht më 14 janar, Kosova mori pjesë në panairin e turizimit “CMT 2020” dhe më 20 janar në panairin e ushqimit “Green Week”, që mbahet po ashtu në Berlin të Gjermanisë.
Në të katër këto panaire, për “ndërtimin” e stendave ishin përgjegjëse kompanitë kroate Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair. E para pranoi pagesa prej 115 mijë e 571 euro, kurse e dyta – pagesa në vlerë prej 80 mijë e 525 euro.
Në një përgjigje lidhur me këtë, nga KIESA thonë se në secilin prej këtyre panaireve është vepruar në harmoni të plotë me rekomandimet e IKSHPK-së. Por, nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se pse kishin vlerësuar të marrin pjesë në panaire edhe në rrethana të jashtëzakonshme si ato gjatë pandemisë.
“Si rrjedhojë, kompanitë kosovare kanë marrë pjesë në ato panaire ku kanë qenë të pranishme edhe kompani nga vende të ndryshme të botës dhe sipas udhëzimeve dhe masave mbrojtëse të caktuara nga vendet organizatore të panaireve ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjet e KIESA-s për Buletinin Ekonomik.
Thirrjet publike për bizneset – “shkel e shko”
Organizimi i pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare rregullohet përmes Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2018 për Ndarjen e Mjeteve Financiare nga Kategoria Ekonomike e Subvencioneve dhe Transfereve.
Sipas këtij udhëzimi, KIESA për secilin panair duhet të shpallë thirrje publike për bizneset dhe pas pranimit të aplikimeve duhet të mblidhet një komision për shqyrtimin e aplikacioneve dhe krejt në fund të shpallen fituesit.
Për secilin panair, kjo procedurë mund të zgjasë deri në një muaj.
Mirëpo, sipas publikimeve në arkivën e MINT-it, ka raste kur Kosova mori pjesë në dy panaire brenda muajit, siç është rasti me pjesëmarrjen në katër panairet e vitit 2020, gjatë muajve janar dhe shkurt. Dinamika e madhe e pjesëmarrjes në panaire – e vë në dyshim respektimin e kërkesave ligjore dhe nëse në këto panaire shkuan kompanitë meritore.
Ekspertët e panaireve me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, të gjithë thonë se pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare është proces kompleks, nëse organizohet në mënyrë profesionale.
Kur janë pyetur se a mund të organizohet pjesëmarrja e Kosovës në të gjitha këto panaire, marrë parasysh kërkesat ligjore që duhet ndjekur, nga KIESA kanë thënë shkurt se “janë ndjekur të gjitha procedurat e duhura për realizimin e këtyre aktiviteteve.”
“Për më tepër, në vitin 2024 kemi rritur numrin e aktiviteteve për ndërkombëtarizim të ndërmarrjeve vendore dhe rritje të eksportit”, kanë thënë nga KIESA.
Por, nga të gjitha thirrjet publike që janë hulumtuar në arkivën e MINT dhe nga bisedat me bizneset e kontaktuara, organizimi nga KIESA ka lënë prapa shkelje të procedurave bazike.
Së pari, problematike është mënyra se si janë publikuar thirrjet publike për bizneset. Ideja e thirrjeve publike bëhet për t’iu dhënë mundësia një game më të gjerë të bizneseve për të aplikuar. Mirëpo, thirrjet publike, KIESA i publikon vetëm në uebfaqen zyrtare të MINT, e cila është vështirë e qasshme për bizneset, por nuk i publikon në rrjetet sociale ku audienca është më e madhe. Në rrjetet sociale publikohen vetëm imazhet e pjesëmarrjes në panaire, pas përfundimit të secilit panair.
Refuzimi i dyfishtë
Për bizneset të cilat refuzohen dhe të cilat më pas ushtrojnë ankesë, Buletini Ekonomik ka gjetur se KIESA në përgjigjet në ankesë nuk e tregon numrin e pikëve dhe as kriteret mbi të cilat është vendosur mbi refuzimin e biznesit. Numri i pikëve nuk publikohet as në listën përfundimtare të bizneseve fituese, e cila publikohet në uebsajtin e MINT-it.
Një rast i ngjashëm i kishte ndodhur Alban Shabanit, pronar në Joni-Sh, një kompani nga Podujeva që merret me kultivimin e frutave të malit. Kompania aplikoi në vitin 2023 në thirrjen e KIESA-s për pjesëmarrje në panarin e ushqimit “Anuga 2023”, i cili mbahet çdo vit në Koln të Gjermanisë.
“Kom dashtë me ngritë si shqetësim këtë punën e KIESA-s edhe të ministrja (Rozeta) Hajdari, po nuk më pranuan në takim. Vendimin që na e kanë dërgu kur nuk na kanë refuzu ka qenë katastrofal, aty thuhet “i plotësoni kriteret por nuk keni marrë pikë mjaftueshëm”. Po problemi është se nuk i kanë qit kriteret me çka mu poentu na, p.sh gjatësia i ka 10 pikë, e aty s’ka pas këso kritere”, ka thënë Shabani.
Në përgjigjen në ankesë nga KIESA për Joni-Sh, një kopje të të cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik, konfirmohen pretendimet e këtij biznesi. Aty thuhet se: “JONI-SH ka plotësuar dokumentet e kërkuara sipas thirrjes publike, mirëpo nuk ka arritur pikët e nevojshme për t’u kualifikuar për pjesëmarrje në stendën e Kosovës në panairin ANUGA 2023.”
Mirëpo aty nuk ceken pikët sa ka grumbulluar kjo kompani për panairin “Anuga 2023”. Numri i pikëve nuk gjendet as në listën e bizneseve fituese për këtë panair, e publikuar në uebsajtin e MINT.
Tutje, Shabani ka thënë se Joni-Sh është ndër kompanitë e vetme në Kosovë që i plotëson standardet evropiane për eksport të produkteve.
“Po sidoqoftë, ne jemi t’u dashtë me marrë pjesë vet, me forca tonat, ama dyqysh të vjen inati mos me t’përzgjedh”, ka thënë ai.
Ka edhe raste kur kompanitë nuk pranuan fare përgjigje nga KIESA mbi arsyet e refuzimit. Kjo në shumë raste e pamundësoi procedurën e ankesës. Kjo i kishte ndodhur Bejtush Gashit, pronar në kompaninë EuroFruti, e cila së fundmi është refuzuar për pjesëmarrje në panairin “Fruit Logistica 2024”.
“Kemi apliku tash për në Berlin në shkurt, por nuk jemi zgjedhë. Nuk i di arsyet sepse nuk kemi marrë arsye nga KIESA. Më e keqja është se e kemi përgatit një brend të ri, jemi zgjeru, dhe kemi dashtë që të dalim jashtë. Nuk jemi anku sepse nuk na dhanë arsye”, thotë ai.
Përzgjedhje selektive nga KIESA?
Në panairin “Anuga 2023”, në të cilin u refuzua kompania Joni-Sh, nga sektori i frutave të malit, Kosovën e kanë përfaqësuar kompanitë Fungo FF dhe EuroFruti. Kjo e fundit ka pjesëmarrje modeste në panaire, por e njëjta nuk mund të thuhet edhe për kompaninë e parë.
“Fungo FF”, kompani që merret kryesisht me kultivimin e kërpudhave, ka marrë pjesë në 12 panaire gjatë kësaj periudhe.
Pronari Fatmir Krasniqi pjesëmarrjen e ‘dendur’ të kompanisë së tij në panaire e ka shpjeguar me faktin se është kompani me fuqi eksportuese dhe që i plotëson kriteret për eksport.
Dy kriteret kryesore janë një cerfitifikatë për produkte organike dhe vërtetimi i ATK-së se kompania nuk ka borxhe.
“Krejt është me ftesë publike. Duhet me i plotësu kushtet. Prej ATK-së që s’ki obligime. Përzgjedhja e kompanive bëhet në bazë të kushteve, lypet certifikata organike, sa e ki vlerën e eksportit, a i plotësojnë krejt kushtet, unë se di…”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka pranuar se është problematike fakti nëse një kompani nga sektori i frutave të malit e ka përfaqësuar Kosovën në Amerikë. Por, nga të gjitha kompanitë e kontaktuara në këtë sektor, të gjitha thonë se eksporti i krejt sektorit më 2023 nuk e kalon sasinë prej 2 mijë ton.
“Në Amerikë e di që i çojnë, aty munet me pas diçka. Unë e di që nëpër panaire kanë marë pjesë edhe kompani me fara ose me çaj të Indisë”, ka shtuar Krasniqi.
Për një gjë me të cilën pajtohen gati të gjitha kompanitë nga sektori i frutave të malit, është se kompania “Hit Flores” e “zë” vendin gati në secilin panair ku ekspozohen produktet nga ky sektor.
Hit Flores, sipas arkivës së MINT, mori pjesë me KIESA-n në 16 panaire gjithsej.
Pronari Nuredin Bajrami, në një bisedë për Buletinin Ekonomik, nuk ka treguar se sa ka qenë vlera e eksportit e kësaj kompanie për vitin 2023. Por, ka pranuar se ka rënie të eksportit në sektorin e frutave të malit për shkak të luftës në Ukrainë dhe çrregullimit të çmimeve.
“Për eksportin nuk mundem me tregu, është fshehtësi e firmës”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se si kapacitetet mund të prodhojnë deri në 5 mijë tonelata nga frutat e malit.
Pas kësaj, Nuredini – telefonin ia ka kaluar menaxherit Xhezair Bajramit, sipas tij “për shkak se dinë më shumë detaje”.
Ky i fundit ka thënë se eksporti i Hit Flores arrin deri në 2.5 milionë euro në vlerë brenda vitit. Kur është pyetur për rezultatet e arritura nga panairet, ai vetëm ka lavdëruar KIESA-n për “organizimin e mirë”.
“Kemi arritë shumë suksese prej këtyre panaireve, po ashtu vlen të përmendet se KIESA si institucion shtetëror e bën punën e vet shumë mirë, edhe me të thanë të drejtën para se me fillu na me shku në panaire me KIESA-n, nuk e kemi pas kaq të madh eksportin, po tash prej panaireve kemi ba një rritje të madhe të eksportit”, thotë ai, pa dhënë më shumë detaje rreth rezultateve konkrete të arritura nga pjesëmarrja në panaire.
“Na si popullatë e Kosovës, duhet me u lut që krejt institucionet shtetërore me punu sikur këta (KIESA), bile jo sikur këta, po veq 90% me punu si këta, na ecim përpara”, ka shtuar Bajrami.
Por të njëjtin mendim nuk e ndan Bejtush Gashi, pronar në kompaninë “EuroFruti”, e cila e ka bazën në fshatin Mramor. Sipas Gashit, kompania ka rreth 30 punëtorë dhe funksionon si pikë grumbulluese ku pranojnë fruta mali nga 300 fermerë. Ai thotë se eksportojnë produkte në Gjermani, Austri, Itali dhe në Turqi.
“Kemi marrë pjesë në disa panaire. Kemi apliku tash për në Berlin në shkurt, por nuk jemi zgjedhë’, ka thënë Gashi. Ai ka përmendur kompaninë Hit Flores, që sipas tij “ka shkuar deri në Amerikë”.
“Asnjë panair nuk ka mbetur pa shku. Duhet me ua kriju mundësinë të gjithëve. Jepjau mundësinë atyre që krijojnë vende pune. Na i kemi 300 fermerë që ua marrim frutat”, ka thënë Gashi, i nevrikosur.
Pronarit të Egi Group “nuk i kujtohet” pjesëmarrja në 10 panaire
Egi Group është një kompani tjetër me pjesëmarrje të madhe në panaire ndërkombëtare me KIESA-n. Gjithsej mori pjesë në 15 panaire ndërkombëtare gjatë periudhës 2018-2023.
Drejtori i kompanisë Argëzon Havolli, është kontaktuar nga Buletini Ekonomik dy herë rreth pjesëmarrjes së EgiGroup në panaire ndërkombëtare. Në rastin e parë – atij nuk i është kujtuar pjesëmarrja në dhjetë panaire gjatë viteve 2022-2023.
“Normal që dy vjet e fundit nuk po marrim pjesë. Ma herët kemi marrë pjesë. Kemi apliku në thirrjet e KIESA-s kur janë bo shpalljet”.
Kur është e pyetur sërish se a është fjala për vitet 2022-2023, ai ka thënë:
“2022, 2023, nuk po jam i sigurtë. Na marim pjesë, po s’po jam i sigurtë a kemi marrë pjesë me KIESA-n. Vjet kemi marrë pjesë thuaja krejt panairet veç vetëm, si në Gjermani, si në Dubai, si në vende tjera”.
Në telefonatën e dytë, pasi i është komunikuar informata se të dhënat për dhjetë panairet janë nga KIESA, Havolli është treguar “më i kujdesshëm” në përgjigje. Ka thënë se është e mundur që nuk i kujtohen të gjitha panairet pasi “marrim pjesë në shumë panaire gjatë vitit edhe privatisht”.
“Në 10 s’po e konfirmoj. Nëse e sheh që është në faqe zyrtare të KIESA-s, atëherë po besoj që nuk kish qenë emri i kompanisë pa apliku, edhe pa marrë pjesë. Sa kom qenë unë pjesëmarrës, në qato panaire që kom marrë pjesë, krejt kompanitë kanë marrë pjesë”, ka thënë ai.
Sa i përket pjesëmarrjes së vazhdueshme me KIESA-n, Havolli ka përmendur si arsye faktin se si kompani e madhe “i plotësojnë kriteret”.
“Sa herë kemi marrë pjesë përmes KIESA-s, kemi apliku në shpalljen që e kanë publiku. Kanë dhënë çdo herë udhëzime. Kush i ka dorëzu me rregull. Ka qenë me pikë. Nese një dokument e ke pas mangu, atëherë ke marrë pikë ma pak. Normal edhe eksporti, potenciali eksportues i kompanisë”, ka thënë ai.
Të njëjtën përgjigje sa i përket kritereve e ka dhënë edhe Betim Kryeziu, menaxher i eksportit në kompaninë Frutex, e cila mori pjesë në panaire me KIESA-n gjithsej13 herë gjatë periudhës së njëjtë.
“Çdo herë kemi apliku në thirrjet e shpallura nga KIESA. Jemi përzgjedhë për shkak se i kemi plotësu kriteret dhe për shkak të potencialit të madh eksportues që e kemi. Siç e dini ne eksportojmë gati në të gjitha vendet e botës”, është shprehur Kryeziu.
Por, këtë mundësi që iu dha nga KIESA – kompanive EgiGroup dhe Frutex, nuk e patën edhe kompani tjera të ngjashme për nga fuqia eksportuese. Njëra nga to që u refuzua sa herë aplikoi, është kompania “Liri” nga Prizreni, e cila posedon një gamë prej 100 produkteve dhe që eksporton në shumë vende.
Arben Tërshnjaku, menaxher në “Liri”, thotë se kanë aplikuar dy herë në KIESA për pjesëmarrje në panaire, por në të dyja rastet u refuzuan.
“Po kemi apliku nja dy herë edhe s’ka bo vaki me fitu najherë në KIESA”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se përvojë të ngjashme ka pasur edhe në rastet e aplikimeve për grante, në thirrjet që publikon kjo agjenci.
“Është shumë problem me ta me u marrë vesh. As përgjigje nuk të kthejnë. As nuk të kthen me të thonë s’je kërkushi, ose s’e ke plotësu qet kriter”, ka shtuar ai.
Në panaire ndërkombëtare, sipas Tërshnjakut, kompania “Liri” prezantohet me “forca vetanake”. Ndërsa kur është pyetur se a është në dijeni se në panaire shkojnë kryesisht kompanitë e njëjta, ai është përgjigjur shkurt: “Këtë e dinë krejt dynjaja”.
“Fshesa elektrike” dhe “frigoriferi” në Athinë
Kompanitë e Kosovës që ekspozojnë produkte në panaire ndërkombëtare i mbulojnë shpenzimet me forca vetanake. Këtë e ka konfirmuar edhe KIESA, por edhe kompanitë e kontaktuara.
Bizneset janë përgjegjëse për dërgimin e produkteve deri tek vendi i mbajtjes së panairit, si dhe për akomodimin e stafit që shkon në panair. Ndërsa KIESA është përgjegjëse për ofrimin e hapësirës për bizneset brenda stendës së Kosovës.
Nga të gjitha kompanitë e kontaktuara, të gjitha kanë konfirmuar se stendat e ndërtuara nga kompania kroate kanë qenë “shabllon” në secilin panair.
Bizneset në panaire vazhdimisht kanë kërkesa për zgjerim të hapësirës. Ideja është që ekspozimi të jetë sa më i dukshëm. Por këto kërkesa nuk u morën asnjëherë parasysh nga zyrtarët e KIESA-s.
“Shtandi jonë ka qenë zakonisht i njëjti. Kemi bo kërkesë te KIESA, por ata e kanë pasë veç shabllonin e tyre, kemi kërku me u ndryshu tavolinat, me qenë të rrumbullakta me karriga katërshe. Nuk ke mujtë me u ulë me një tavolinë ku janë ulë 6 veta ose 8 veta, s’ke mujtë me u ulë me diskutu. 99 për qind të stendave në panaire janë të njëjta”, ka thënë Bejtush Gashi nga kompania EuroFruti.
Për hapësirat e njëjta të bizneseve në secilin panair ka folur edhe Fatmir Krasniqi nga Fungo FF, por ka thënë se kjo është çështje e organizatorit, në këtë rast KIESA-s.
“Shtandi gati se është një format”, është shprehur ai.
Si Gashi po ashtu edhe Krasniqi, të dy kanë deklaruar se nuk e kanë parë asnjëherë kompaninë kroate në panairet ku kanë marrë pjesë. Por ata thonë se janë në dijeni që një kompani kroate merret me ndërtimin e stendave.
“Jo nuk e kam taku kompaninë kroate, asnjëherë. Nuk e kom pa. Aty përzihen do kroatë”, ka thënë Krasniqi.
Në një përgjigje me shkrim nga KIESA, thuhet se kompanitë që ndërtojnë stendat, janë përgjegjëse edhe për pastrimin e hapësirës gjatë kohës së mbajtjes se panairit.
“Ndërsa tek organizatori Mirt Interijer për shërbimet e tjera të dizajnimit të stendës, ndërtimit të stendës, pastrimin ditor, energjinë elektrike, mbeturina, demontim e shtendës dhe pastrim të hapësirës ekspozuese”, thuhet në përgjigjet e KIESA-s për secilin panair.
Por, ndryshe është rrëfimi i kompanive që kanë marrë pjesë nëpër panaire. Kur është pyetur se a i pastron hapësirat në stendë kompania kroate, Bejtush Gashi nga EuroFruti ka dhënë një verzion tjetër.
“Nuk e di qysh e kanë marrëveshjen. Nuk e kam pa kompaninë asnjëherë. Fshesa e rrymës ka qenë aty. Vetë i kemi ra fshisë”, ka treguar Gashi përvojën e tij në panairin në “FoodExpo”, që mbahet në Athinë.
“Herën e fundit kur kom qenë, të betohem çdo herë me atë djalin e KIESA-s dhe bashkë me djalin tem, i kemi ra fshisë të rrymës, e kemi pastru vendin, i kemi hek senet prej tavolinave, i lejshin gotat, i lejshin shishet..”, vazhdon rrëfimi i tij.
Gjatë qëndrimit në panairin në Athinë Gashi thotë të jetë përballur edhe me një sfidë tjetër. Kompania e tij kultivon fruta mali të freskëta dhe frutat duhet të mbahen në frigorifer. Në stendën e Kosovës në Athinë nuk kishte një të tillë.
“Kërkova nga zyrtarët e KIESA-s me ma siguru frigoriferin. Nuk ma pranuan kërkesën. Dola në Athinë për me lyp frigorifer. E gjeta një, më kushtoj 1 mijë euro për aq ditë sa qëndruam në panair”.
Edhe Krasniqi nga Fungo FF, tregon përvojë të ngjashme. Ai thotë se të gjitha shpenzimet e kompanisë janë kryer nga kompania. Kjo, atij i duket e çuditshme, edhe për një fakt tjetër që ka përmendur.
“Panairet a janë për me shku bizneset, a zyrtarët e ministrisë. Ka ndodhë që t’kanë ardhë 15 vetë prej Ministrisë, edhe kanë bo shëtitje në “akraballak”. /Buletini Ekonomik/
LEXO EDHE:
Imazhi i Kosovës në panaire ndërkombëtare iu besua një kompanie fiktive
Shteti i Kosovës pagoi deri në 600% më shtrenjtë stendat në panaire ndërkombëtare