Nuk ka ulje të çmimit të banesave as në Prishtinë, as në qendrat e tjera komunale, të shquara për ndërtime intensive. Përkundrazi, ka ngritje çmimesh. Këtë e konstatojnë edhe blerësit potencialë, por edhe statistikat zyrtare të institucioneve përkatëse.
Buletini Ekonomik
Parashikimet e ndërtimtarëve në Kosovë se, pavarësisht lëvizjeve të trendit të shitblerjeve të banesave në vend, ose më saktësisht rënies së shitblerjes së banesave në këta muaj të këtij viti, nuk do të ketë ulje të çmimit të metrit katror të ndërtimeve të reja, po dalin të jenë të sakta.
Nuk ka ulje të çmimit të banesave as në Prishtinë, as në qendrat e tjera komunale, të shquara për ndërtime intensive. Përkundrazi, ka ngritje çmimesh. Këtë e thonë edhe blerësit potencialë, por edhe statistikat zyrtare të institucioneve përkatëse.
Siç dihet, çmimet e pronave të banimit në tremujorin e parë të vitit 2026 janë rritur për 5.3 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 2.4 për qind.
Sipas ASK-së, në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 1.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Ndërsa, në rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 12.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.
Dihet se, sado që ka kohë që nuk ka shitblerje të paluajtshmërive në zonat rreth e qark qendrës së kryeqytetit, çmimet për një metër katror të banesave kalkulohen të jenë nga 2.500 deri në 3.500 euro.
Në raste më të rralla, ndonjë hapësirë banesore e vlerësuar si atraktive dhe e favorshme për ushtrimin e ndonjë veprimtarie biznesore, për shkak të vendndodhjes së saj, tejkalon çmimet e sipërpërmendura.
Ndërsa, çmimet në zonat e tjera të Prishtinës, pak a shumë, janë këto: në Mahallën e Muhaxherëve, që është shumë pranë qendrës, çmimi i një metri katror sillet nga 1.500 deri në 2.000 euro, por është vështirë të gjesh banesë në këtë lagje për shkak se ato tregtohen shpejt, madje shumë prej tyre që në gurthemelet e tyre. Aktualisht, në këtë lagje nuk ka banesa të pashitura.
Më shumë:
Ndërtimet cilësore ende me treg solid të shitblerjeve në Kosovë
Çmimi i një metri katror të një banese në lagjen Arbëria (ish-Dragodani) lëviz nga 1.350 deri në 2.000 euro. Në lagjen, në zonën në afërsi të Qendrës Tregtare “Minimaks”, çmimet për një metër katror të banesave aktualisht sillen nga 1.350 deri në 1.600 euro. Në zonën Qendra e Re (zona te Pallati i Drejtësisë), çmimet janë nga 1.250 euro për një metër katror deri në 2.500 euro.
Kjo diferencë e madhe brenda një lagjeje në çmimin e banesave është krijuar nga cilësia dhe korrektësia e ndërtimtarit.
Pra, varësisht se kush është ndërtuesi dhe varësisht nga cilësia e punimeve deri te finalizimi, janë edhe çmimet e diferencuara. Pastaj, cilësia dhe korrektësia e ndërtimtarit kanë ndikim të madh edhe në tregtimin e banesave.
Të gjitha këto çmime, krahasuar me disa muaj më parë, janë ndjeshëm më të larta. Po të azhurnoheshin tani çmimet e pronave të banimit të regjistruara nga ASK-ja në tremujorin e parë të vitit 2026, të cilat ishin rritur për 5.3 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, do të dilnin akoma më të larta.
Edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës ka ngritje të theksueshme të çmimit të një metri katror të ndërtimeve, veçmas të banesave, krahasuar me çmimet e disa muajve më parë.
Tani, ta zëmë, në Podujevë, ku ndërtimet janë në hov, në Vushtrri, në Ferizaj e Lipjan etj., ndërtimet e reja kanë çmim përtej 800-900 euro për metër katror. Në afërsi të qendrave të këtyre komunave, një metër katror shkon edhe përtej 1.000 eurove.
Në ngritjen e çmimeve të banesave ka ndikuar domosdoshmërisht rritja e kostos së ndërtimit në vend.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i kostos së ndërtimit është rritur për 2.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025.
Rritjen më të madhe në këtë periudhë e kanë shënuar kostot e transportit me 5.9 për qind, pasuar nga pagat me 2.8 për qind, kostot e tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind.
Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, indeksi i kostos së ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.3 për qind.
Sipas të dhënave, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur kostot e transportit, të cilat janë rritur për 11.5 për qind.
Po ashtu, janë rritur pagat për 8.6 për qind, kostot e tjera për 6.2 për qind, energjia për 5.5 për qind, materialet për 3.2 për qind dhe makineritë për 0.7 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se sektori i ndërtimit vazhdon të përballet me rritje të kostove në shumicën e kategorive kryesore, duke reflektuar presionet në çmimet e materialeve, fuqinë punëtore dhe shërbimet mbështetëse.
Në këtë mënyrë, kostoja e ndërtimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen enorme të çmimit të një metri katror të banesave dhe të hapësirave biznesore. /Buletini Ekonomik/
Lexo edhe:
Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK publikon të dhënat për tremujorin e parë të 2026









